Argjentina barazon në shtëpi me Paraguain, VAR-i ia anulon Messit golin e fitores

  • S.A /
  • 13 November 2020 - 08:56
Argjentina barazon në shtëpi me Paraguain, VAR-i ia anulon Messit golin e fitores

Kombëtarja e Argjentinës nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 ndaj Paraguait në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet në Kupën e Botës 2022, ndërsa Lionel Messit iu anulua një gol nga VAR-i. Vendasit nuk kanë arritur të shfrytëzojnë terrenin vendas në ‘Estadio Alberto J. Armando’ pasi janë ndalur me barazim nga Paraguai.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Argjentinës, të cilët krijuan më shumë raste dhe menaxhuan lojën, por dy kombëtaret shënuan nga një herë.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të Angel Romero (21’), i cili shënoi nga penalltia për 0-1, ndërsa Argjentina barazoi 1-1 me anë të Nicolas Ivan Gonzalez (41’). Në pjesën e dytë, përsëri ishte Argjentina, e cila krijoi më shumë raste në tentim të golit të epërsisë dhe fitores, ndërsa Paraguai tentonte ta ruante rezultatin.

Argjentina e arriti golin në minutën e 58-të me anë të yllit të ekipit, Messi (58’), i cili shënoi për 2-1 pas një aksioni të mirë, por goli i tij u anulua. Ishte gjyqtari kryesor i cili pas rishikimit të VAR-it vendosi t’ia anulojë një gol të bukur Messit për një ndërhyrje të palejuar më herët gjatë aksionit dhe në fund ndeshja u mbyll me barazim 1-1.

Pas këtij barazimi, Argjentina vazhdon të mbetet në vendin e parë me shtatë pikë, ndërsa Paraguai renditet i katërti me pesë pikë.

Në ndeshjen e radhës, kombëtarja Albiceleste luan në udhëtim te Peru, ndërsa Paraguai e pret Bolivinë.

(Kosova Sot Online )