Kosova me mungesa të mëdha për ndeshjen ndaj Sllovenisë, por ekipit i bashkohet Valon Berisha

  • S.A /
  • 13 November 2020 - 10:41
Kosova me mungesa të mëdha për ndeshjen ndaj Sllovenisë, por ekipit i bashkohet Valon Berisha

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar ndeshjen e parë në muajin nëntor, ku luajti miqësoren me Shqipërinë. Në takimin e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’, kuqezinjtë u treguan më të fortë duke triumfuar me rezultat të ngushtë 2-1.

Trajneri Bernard Challandes kishte publikuar listën me 27 futbollistë të grumbulluar, por disa prej tyre mungojnë nga kjo listë. Milot Rashica, Leart Paqarada nuk u grumbulluan fare shkaku se klubet e tyre Werder Bremen dhe St.Pauli nuk i dhanë leje. E në grumbullim munguan edhe Idriz Voca e Florent Muslija shkaku i lëndimeve.

Por për ndeshjen ndaj Sllovenisë, Kosova përveç lojtarëve të lartëpërmendur do të ketë edhe mungesa tjera.

Njëri nga mesfushorët më të mirë të Dardanëve, Herolind Shala mungon shkaku i kartonëve, ndërsa për të njëjtën arsyeje mungon edhe Benjamin Kololli që u ndëshkua me karton të kuq në fund të ndeshjes me Greqinë.

Mungesë do të jetë edhe ajo e Betim Fazlijit që debutoi me Kosovën në miqësoren ndaj Shqipërisë, por që nuk ka drejtë loje në ndeshje zyrtare shkaku se ende nuk i është kompletuar dokumentacioni në FIFA. Pra për takimin ndaj Sllovenisë, Dardanët nuk kanë në dispozicion lojtarët si Herolind Shala, Benjamin Kololli, Milot Rashica, Leart Paqarada, Betim Fazliji, Florent Muslija e Idriz Voca. Por për këtë takim Dardanëve i është bashkuar edhe Valon Berisha i cili nuk luajti në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës zhvillohet të dielën në stadiumin Stozice në Lubjanë me fillim nga ora 20:45. 

(Kosova Sot Online )