Kosovës i bashkohet Valon Berisha, por Celina është në dyshim pasi u lëndua

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 20:01
 Kosovës i bashkohet Valon Berisha, por Celina është në dyshim pasi u lëndua

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Durrës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve, kundër Sllovenisë dhe Moldavisë në kuadër të Ligës C.

Në seancën e sotme, e cila u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” ekipit iu bashkua Valon Berisha, i cili mungoi në miqësoren kundër Shqipërisë, derisa për shkak të një shqetësimi muskulor në stërvitje mungoi Bersant Celina.

Edhe në stërvitjen e sotme Dardanët ishin maksimalisht të përkushtuar, teksa vërehet dëshirë e madhe për t’u rikthyer tek rezultatet pozitive. Ekspedita e Kombëtares nesër në mëngjes do të udhëtojë në Lubjanë, ku do të mbajë stërvitjen e fundit para përballjes me Slloveninë.

Kosova do të përballet me Slloveninë të dielën më 15 nëntor derisa tri ditë më vonë në Prishtinë presin skuadrën e Moldavisë.

(Kosova Sot Online)