Sahiti nuk paralajmëron ndërrim taktikash kundër Sllovenisë

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 18:06
Sahiti nuk paralajmëron ndërrim taktikash kundër Sllovenisë

Kosova ka mbajtur konferencën për shtyp në Lubjanë, ku para gazetarëve atje sonte është paraqitur zëvendës trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti

Sahiti në këtë konferencë më shumë ka folur për mënyrën se si do t’i qaset ndeshjes me Slloveninë, e cila për momentin prin në Ligën 3 të Ligës C të Kombeve.

Megjithatë, kur është pyetur se a do të luajë në një sistem tjetër të lojës, ashtu sikurse kishte bërë kundër Greqisë në ndeshjen e fundit, Sahiti tha se ata nuk do të ndryshojnë shumë mënyrën e lojës së tyre.

“Ne nuk ndryshojmë në mënyrën e lojës sonë. Loja e mënyrës tonë është me pasime, me diagonale në thellësi të kundërshtarit. Ne do të luajmë ashtu si gjithmonë dhe nëpërmes kësaj loje ne synojmë ta fitojmë ndeshjen”, tha Sahiti, i cili e drejton Kosovën për shkak se Challandes është testuar pozitiv me COVID-19.  

Kjo do të jetë ndeshja e parafundit e Kosovës në Ligën C të Kombeve derisa ka edhe dy ndeshje për të luajtur.

Derisa ata do të luajnë kundër Sllovenisë të dielën, tri ditë më vonë në Prishtinë do ta presin skuadrën e Kombëtares se Moldavisë, me të cilën barazuan në ndeshjen e parë me rezultat 1-1 në Parma të Italisë.

Për Hekuran Kryeziun, mbetja në Ligën C është synim por ai ka thënë se skuadra kosovare nuk ndihet në presion.

“E vërtetë që nuk kemi presion tashmë për vendin e parë. Por, për ne nuk duhet të vihemi në presion, pavarësisht ndeshjeve. Është me rëndësi që të mbetemi në Ligën C të Kombeve”, tha Kryeziu.

Sllovenia prin në vendin e parë në grup me 10 pikë, derisa Greqia është e dyta me 8 pikë. Kosova është në vendin e tretë me dy pikë, një më shumë se Moldavia që është në vendin e fundit.

(Kosova Sot Online)