Lojtarët e Realit dhe Barçës u bënë copa mes vete, pastaj u bashkuan dhe e fituan Botërorin për Spanjën – thotë Ramos

  • S.A /
  • 17 November 2020 - 09:14
Lojtarët e Realit dhe Barçës u bënë copa mes vete, pastaj u bashkuan dhe e fituan Botërorin për Spanjën – thotë Ramos

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, ka zbuluar sesa i nxehtë kishte qenë rivaliteti mes Realit dhe Barcelonës, saqë futbollistët e të dy klubeve ishin përleshur pak para se të bashkoheshin në ekipin kombëtar të Spanjës për ta fituar Kupën e Botës më 2010.

Rivaliteti mes Barcelonës dhe Real Madridit e arriti kulmin pak para Kupës së Botës 2010, edhe pse Jose Mourinho ende nuk kishte mbërritur në kryeqytetin spanjoll.

Real Madridi dhe Barcelona ishin ekipet mbizotëruese në futbollin spanjoll deri në atë pikë, por të bardhët po e përjetonin një periudhë të vështirë në Ligën e Kampionëve, derisa detyroheshin t’i shikonin rivalët katalonas duke u bërë ekipi më i mirë në botë.

Duke folur në një ngjarje për publikimin e dokumentarit për triumfin e Spanjës në Afrikën e Jugut, Ramos tregoi sesi lojtarët e Barçës dhe Realit ishin përleshur para Botërorit.

“Lojtarët e Barcelonës dhe Real Madridit sapo e kishin bërë njëri-tjetrin copa-copa”, tregoi Ramos.

“Kishte shumë lojtarë të dy klubeve në ekipin kombëtar, por mospajtimet tona duhej të ishin dytësore. Vicente del Bosque bëri punë të madhe për të na bashkuar, duke na bërë ta kuptonim se ne duhej t’i ndanim problemet e klubit nga zemra e ekipit kombëtar”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )