Ibrahimovic: Desha t’i bashkohem Bolognës falas për Mihajlovicin, por pastaj erdhi Milani

  • E.K /
  • 22 November 2020 - 12:23
 Ibrahimovic: Desha t’i bashkohem Bolognës falas për Mihajlovicin, por pastaj erdhi Milani

Zlatan Ibrahimovic ka zbuluar se ishte i gatshëm t’i bashkohej Bolognës falas për shkak të miqësisë së ngushtë me trajnerin e saj serb, Sinisa Mihajlovic, para se Milani t’i trokiste në derë.

Sulmuesi suedez u rikthye në Milan në janar dhe që prej atëherë ka mahnitur duke i udhëhequr kuqezinjtë drejt kreut të tabelës në Serie A këtë sezon.

Ai e kishte shkëputur kontratën me LA Galaxy në MLS në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka mundur t’i bashkohej Bolognës – e cila udhëhiqet nga ish-bashkëlojtari i tij te Interi, Mijalovic – sikur Milani mos t’ia rihapte derën.

“Mendoj se Sinisa është njeri i madh. Jam me fat që e njoh personalisht. Në fillim nuk e pëlqenim njëri-tjetrin, por kur e njoha në Inter ishte dashuri nga dita e parë”, tha Ibrahimovic.

“Gjithmonë thosha: ‘Nëse do të shkoja në luftë, Sini do të ishte në frontin e parë, unë në të dytin’. Në Inter e kuptova çfarë njeriu i madh është, jam krenar që jam mik i tij”, shtoi ai.

“Ai bëri gjithçka që mundi për të më marrë në Bologna. I tha fjalët e duhura dhe unë isha i sinqertë me të, nuk vrapoj dot sic vrapoja më parë. Mihajlovic tha se do të kishte nevojë për mua vetëm para portës dhe unë i thashë se do t’ia bashkohesha Bolognës falas vetëm për të, por pastaj erdhi Milani”, tregoi ai.

(Kosova Sot Online)