Zidane s’gjen fjalë për ta përshkruar humbjen tronditëse të Real Madridit

  • A.P /
  • 29 November 2020 - 09:30
Zidane s’gjen fjalë për ta përshkruar humbjen tronditëse të Real Madridit

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk ka qenë në gjendje ta shpjegojë humbjen e skuadrës së vet në shtëpi kundër Alavesit të shtunën.

Alavesi e mundi Real Madridin 2:1 falë golave nga Lucas Perez dhe Joselu, ndërsa goli i Casemiros për vendasit ishte vetëm sa për ngushëllim, pasi u shënua në minutën e 86-të.

Kjo ishte humbja e tretë e Madridit në La Liga këtë sezon, e cila e lë skuadrën gjashtë pikë mbrapa Atletico Madridit dhe Real Sociedadit, të cilat e ndajnë kreun e tabelës me nga 23 pikë secila.

Për më tepër, skuadra e Zidane i ka humbur tri prej pesë ndeshjeve të fundit në shtëpi në të gjitha garat. Kaq disfata i kishte pësuar vetëm në 31 ndeshjet e fundit në shtëpi.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri francez e pranoi se është i tronditur nga pavazhdimësia e skuadrës së vet duke e parë se kundër Interit bëri një ndeshje të fortë në mesjavë dhe fitoi 2:0 në Ligën e Kampionëve.

“Nuk kam shpjegim. Ne i ndërruam çastet e mira me çaste të këqija sonte. Kur ata shënuan gol pas tri minutave, gjërat u koklavitën shumë për ne”, tha Zidane.

“Para dy ditëve në Milano ne luajtëm mirë dhe sot… ky është realiteti jonë. Cfarë duhet të bëjmë është të vazhdojmë të punojmë, t’i rikuperojmë lojtarët dhe ta ndryshojmë dinamiken. Na mungon vazhdimësia”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)