Rrëfehet i përlotur mjeku i dyshuar për vdekjen e Maradonës: Gabimi im i vetëm është se e desha shumë

  • S.A /
  • 30 November 2020 - 11:00
Rrëfehet i përlotur mjeku i dyshuar për vdekjen e Maradonës: Gabimi im i vetëm është se e desha shumë

Leopoldo Luque, mjeku i Diego Armando Maradonës, është nën hetime për vdekjen e legjendës së Argjentinës. Shtëpia e tij është bastisur nga policia por ai e ka mbrojtur veten duke thënë se gabimi i vetëm i tij ishte se e donte shumë ikonën e futbollit botëror.

Maradona vdiq të mërkurën e kaluar në shtëpinë e vet nga sulmi në zemër.

Luque, si mjeku i tij personal, po hetohet për vdekjen e tij dhe shtëpia e tij u bastis për dy orë të tëra të dielën.

Rreth 30 policë ishin futur në shtëpinë e tij derisa ai po hante mëngjes me vajzate veta, sipas gazetës italiane, La Gazzetta dello Sport.

Luque e kishte operuar Maradonën në tru vetëm disa ditë para se të vdiste dhe tani po akuzohet për vrasje paparamendim.

“Kam bërë gjithçka që kam mundur ta shpëtoj një mik, të cilin e kisha si baba. Por ai kishte vendosur të hiqte dorë”, tha Luque për gazetarët i përlotur.

“Shumë herë më përzinte si një baba rebel dhe të nesërmen më thërriste dhe më thoshte: ‘Luque, po ndihem mirë, ik pirdhu. Zhduku’. Kjo ndodhi shumë shpesh sepse ne kishim lidhje ndryshe”, theksoi ai.

“Një ditë nuk doja të dilja nga dhoma e tij, ai u zemërua dhe më tha se do të ngrihej dhe do të më grushtonte. Ai më tha se kishte nevojë të ngrihej në këmbë dhe pastaj më kapi. U stepa paksa dhe ai kërceu mbi mua. Por unë e arrita synimin sepse ai u ngrit nga shtrati i tij. Të nesërmen, shkova për t’ia larguar qepjet nga koka dhe ai më tha duke buzëqeshur: ‘Ke frikë, apo jo?’ Ai ishte i shtrirë në kolltuk dhe i mbylli sytë, duke u shtirur se po flinte”, tregoi ai.

Psikologu i Maradonës kishte kërkuar zyrtarisht përmes një shkrese që një ambulance dhe disa specialistë, përshirë një neurolog, të qëndronin në gatishmëri pranë shtëpisë së tij.

“Kush do t’i kishte zbatuar këto masa? Unë jo sigurisht”, nënvizoi Luque.

“Ne vendosëm së bashku, gjithçka varej nga mendimi i Maradonës. Sipas ligjit tonë, mënyra e vetme që ne kemi mundur të merrnim vendime në vend të tij ishte nëse gjykatësi do ta shpallte atë të paaftë mendërisht”, theksoi ai.

“Ne bëmë më shumë sesa kemi mundur, më shumë sesa Digo donte që ne të bënim”.

“Unë jam përgjegjës që ia zgjata jetën atij. Kishte infermiere në shtëpinë e tij sepse unë përdora arsyetime për operacionin e tij, por ai ishte në rregull me këtë”, përfundoi Luque.

(Kosova Sot Online )