Liga e Kampionëve: 8 ekipet që e kanë siguruar kalimin në rrethin e 16 më të mirëve

  • S.A /
  • 02 December 2020 - 08:57
Liga e Kampionëve: 8 ekipet që e kanë siguruar kalimin në rrethin e 16 më të mirëve

Kur gjysma e ndeshjeve të rrethit të pestë të fazës grupore në Ligën e Kampionëve tashmë kanë përfunduar, tetë ekipe e kanë siguruar kalimin në rrethin e 16 më të mirëve.

Bayern Munich, Manchester City, Porto, Liverpool, Chelsea, Sevilla, Barcelona dhe Juventus janë kualifikuar tashmë në fazën e eliminimit direkt në garën më prestigjioze evropiane për klube.

Por kush do t’u bashkohet atyre?

GRUPI A: Atletico do të kualifikohet në mesin e 16 më të mirëve me një barazim kundër Salzburgut. Austriakët kualifikohen vetëm nëse e mposhtin klubin spanjoll.

GRUPI B: Të gjitha katër ekipet kanë mundësi kualifikimi. I vetmi skenar në të cilin një skuadër s’e ka në dorë fatin e vet është nëse Interi fiton kundër Shakhtarit dhe Real Madridi barazon me Borussia Monchengladbach. Nëse ndodh kjo, atëherë Reali dhe Borussia shkojnë tutje.

GRUPI C: Këtu cdo gjë është vendosur tashmë. Manchester City është i pari, ndërsa Porto në vendin e dytë.

GRUPI D: Liverpooli e ka siguruar vendin e parë në grup. Ajaxi dhe Atalanta do të përballen drejtpërdrejt për vendin e dytë.

GRUPI E: Chelsea dhe Sevilla do të vendosin se kush shkon nga vendi i parë e kush nga i dyti.

GRUPI F: Dortmundi dhe Lazio ende s’e kanë siguruar kualifikimin, por të dyja kanë përparësi para Brugge, skuadra belge që duhet t’i fitojë të dy ndeshjet e mbetura për të pasur mundësi kualifikimi.

GRUPI G: Barcelona dhe Juventusi janë kualifikuar dhe do të luftojnë për pozitën e parë.

GRUPI H: Ka mundësi që në xhiron e fundit tri ekipe t’i kenë nga nëntë pikë. Manchester United, PSG dhe RB Leipzig. Nëse PSG-ja humb në Old Trafford, rrezikon seriozisht të eliminohet. 

(Kosova Sot Online )