Zidane pas humbjes kundër Shakhtarit: S’e kam ndërmend të jap dorëheqje, assesi

  • S.A /
  • 02 December 2020 - 08:41
Zidane pas humbjes kundër Shakhtarit: S’e kam ndërmend të jap dorëheqje, assesi

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, megjithëse humbja tronditëse kundër Shakhtar Donetsk ia ka zbehur dukshëm shpresat skuadrës së tij për t’u kualifikuar në mesin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve.

13 herë kampioni i Evropës është në vendin e tretë në Grupin B, nga i cili të gjitha katër skuadrat kanë mundësi të kualifikohen në xhiron e fundit.

Realit i duhet ta mposhtë patjetër Borussia Monchengladbachun për ta siguruar kalimin e grupeve.

I pyetur pas humbjes 2:0 kundër Shakhtarit të martën nëse do të jap dorëheqje, Zidane tha: “Nuk do të jap dorëheqje, assesi”.

“Gjithmonë do të kemi çaste të vështira dhe jemi në një ecuri të keqe, por duhet të vazhdojmë”, tha trajneri francez, skuadra e të cilit pësoi disfatë tronditëse 2:1 kundër Alavesit në La Liga të shtunën.

“E kam forcën e nevojshme për t’i përmirësuar gjërat dhe do të jap gjithçka nga vetja për ta arritur këtë. Njëjtë edhe lojtarët”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )