Ronaldo: 750 gola, 750 çaste lumturie; faleminderit kundërshtarëve të mi besnikë

  • S.A /
  • 03 dhjetor 2020 - 12:43
Ronaldo: 750 gola, 750 çaste lumturie; faleminderit kundërshtarëve të mi besnikë

Cristiano Ronaldo i ka falënderuar bashkëlojtarët dhe trajnerët e vet ndër vite, si dhe kundërshtarët, siç i ka quajtur ai, besnikë, për ndihmën që ia kanë dhënë për t’i arritur 750 gola në karrierë.

Ronaldo e arriti shifrën mbresëlënëse prej 750 golave në karrierë për klubet dhe Kombëtaren e Portugalisë të mërkurën.

Ai e shënoi golin e 750-të në karrierë, pasi realizoi një herë në fitoren e Juventusit 3:0 kundër Dynamo Kiev të mërkurën në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi portugez i ka 75 gola për Juventusin, 450 për Real Madridin, 118 për Manchester Unitedin, pesë për Sporting Lisbon dhe 102 për Portugalinë.

509 prej këtyre golave i ka shënuar brenda zonës, 129 nga penalltia, 57 nga goditja e lirë dhe 55 jashtë zonës.

Ronaldo e tundi rrjetën e portës 482 herë me këmbën e djathtë, 136 me këmbën e majtë dhe 130 me kokë.

Në një reagim në Twitter, Ronaldo i falënderoi ata që i ndihmuan dhe ata që e motivuan të punojë fort.

“750 gola, 750 çaste lumturie, 750 buzëqeshje në fytyrat e përkrahësve tanë. Faleminderit të gjithë lojtarëve dhe trajnerëve që më ndihmuan ta arrijë këtë shifër të mahnitshme, faleminderit të gjithë kundërshtarëve të mi besnikë që më bënë të punoj me zell seç herë e më shumë”, shkroi Ronaldo në Twitter. 

(Kosova Sot Online )