Gjithçka e paqartë në Grupin F

  • A.P /
  • 03 December 2020 - 23:14
Gjithçka e paqartë në Grupin F

Napoli ka barazuar sonte në Holandë kundër AZ Alkmarit por që asgjë nuk ka përfunduar në këtë grup pas barazimit të Real Sociedadit me Rijekën. Duket se xhiroja e fundit javën e ardhshme do të përcakton skuadrat që do të mund të vazhdojnë tutje në Europa Ligë

Napoli, Real Sociedad dhe AZ Alkmaar janë në lojë për të kaluar në mesin e 32 skuadrave më të mira, por njëra prej tyre do të eliminohet.

Napoli e nisi shumë më mirë ndeshjen në Holandë pasi që arriti që të kalojë në epërsi që në minutën e 6-të te ndeshjes.

Ishte një aksion i bukur i skuadrës nga Italia e Jugut ku golin e shënoi belgu Dries Mertens.

Pjesa e parë përfundoi me një gol epërsi të Napolit.

Në pjesën e dytë AZ Alkmaar ishte një skuadër shumë më e mirë se Napoli dhe pati disa mundësi të mira për shënim.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 54-të dhe atë e shënoi Bruno Martins Indi.

AZ Alkmaar e pati mundësinë që ta fitonte këtë ndeshje por që nuk e bëri këtë pasi që nga penalltia nuk ia doli të shënoi Koopmeiners në minutën e 59-të, pasi që penalltinë e tij e priti Ospina.

Pavarësisht rasteve në fund ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë, rezultat që nuk i konvenon shumë Napolit pasi që ndeshjen e fundit e luan kundër rivalit për të kaluar tutje, Real Sociedadit që po ashtu barazuan sonte me rezultat 2-2 në Spanjë kundër skuadrës kroate, Rijeka.

Në ndeshjet e fundit që luhen javën e ardhshme, Napoli pret në Sao Paolo Real Sociedadin derisa AZ Alkmaar luan kundër Rijekës.

Napoli duhet të fitojë gjithsesi këtë ndeshje pasi që në rast se barazon dhe AZ Alkmaar fiton, atëherë në fazën tjetër të Europa Ligës kalon skuadra holandeze për shkak se e ka mposhtur në Sao Paolo skuadrën e Napolit.

Në anën tjetër Real Sociedad në këtë ndeshje kalon edhe me një barazim kundër Napolit.

(Kosova Sot Online)