Pas “Mbretit” James, Lakers rinovojnë edhe me Davis, 190 milionë për 5 vjet!

  • S.A /
  • 04 December 2020 - 14:03
Pas “Mbretit” James, Lakers rinovojnë edhe me Davis, 190 milionë për 5 vjet!

Menjëherë pas marrëveshjes me “Mbretin” James, drejtuesit e Los Angeles Lakers bindën gjithashtu edhe sulmuesin apo qendrën e skuadrës, Anthony Davis, për të rinovuar me franchise-n kalifornian.

Pavarësisht ndryshimeve të jashtëzakonshme që pësoi kontigjenti i lojtarëve në prag të sezonit të ri, përsëri prania e Anthony Davis nuk u vu fare në dyshim. 27-vjeçari nga Chicago konsiderohet si një ndër basketbollistët më të mirë në NBA, madje tetë vjet më parë Anthony Davis vari në qafë medaljen e artë në Olimpiadën e Londrës, kur ishte vetëm 19 vjeç, ndërsa dy vjet më pas, në moshën 21-vjeçare, ai ishte pjesë e seleksionit të Shteteve të Bashkuara që triumfoi në Spanjë, në kampionatin botëror.

Diskutimet ishin shtyrë në kohë thjesht për çështjen e parave, megjithatë, në fund gjithçka u zgjidh dhe palët ranë dakord për një kontratë 5-vjeçare. Anthony Davis u transferua në Qytetin e Engjëjve te Lakers në korrikun e vitit 2019, si rrjedhojë e shkëmbimit që bënë New Orleans Pelicans me Los Angeles Lakers. Davis kaloi fillimisht te Lakers me një kontratë 1-vjeçare, ndërsa në Louisiana u zhvendos treshja Lonzo Ball, Brandon Ingram, Josh Hart, plus tre përzgjedhje nga raundi i parë në draft. Pa harruar kontributin e lojtarëve të tjerë, falë dyshes LeBron James – Anthony Davis Lakers shkuan deri në fund në Orlando Bubble, për të mposhtur 4-2 në finale Miami Heat, duke u barazuar në këtë mënyrë në krye me 17 tituj me franchise-n nga Massachusetts, Boston Celtics, megjithatë në krahun tjetër kjo lëvizje nuk i solli asnjë lloj përfitimi ekipit buzë Mississippi-t, që e mbylli sezonin e rregullt në Konferencën e Perëndimit jo vetëm jashtë zonës play off, por gjithashtu edhe në pozicionin e 13 nga 15 skuadra gjithsej, me vetëm 30 fitore në 72 takime.

Kështu 27-vjeçari nga Illinoisi do të luajë te “liqenorët” edhe për pesë vjet të tjera dhe mediet e ndryshme amerikane kanë zbuluar se Anthony Davis do të përfitojë plot 190 milionë dollarë nga kjo kontratë. Menaxheri i tij deklaroi për rrjetin ESPN se Davis ka gjithashtu një opsion, që i mundëson mbylljen e kontratës me Lakers përpara sezonit të tij të pestë.

Më herët shtyu qëndrimin te Lakers gjithashtu edhe veterani LeBron James. 4 herë kampioni I NBA me tre skuadra të ndryshme do të festojë 36-vjetorin në fundin e këtij viti, sidoqoftë “Mbreti” James vazhdon të mbahet mirë dhe të bëjë diferencën në parket, deri në atë pikë sa për t’u shpallur si lojtari më i vlefshëm i finaleve të sezonit, duke u shndërruar në moshën 35 vjeç e 287 ditë në basketbollistin e dytë më madh që kurorëzohet me një çmim të tillë.

Të kënaqur nga rendimenti i tij drejtuesit e Lakers rinovuan kontratën me 35-vjeçarin nga Ohio edhe për dy sezone të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej 85 milionë dollarësh. Pra sezoni i edicionit 2022-23 do të jetë i 20-ti në karrierë në NBA për “Mbretin” James. Duke mbledhur të gjitha kontratat e mëparshme bashkë deri në verën e vitit 2023 LeBron do të ketë përfituar në total plot 435 milionë dollarë në këto dy dekada. Kuptohet në këtë shifër nuk përfshihen të ardhurat e tjera dhe fitimet marramendëse nga të drejtat e imazhit dhe sponsorizimet e shumta.

LeBron James firmosi për Lakers në korrikun e vitit 2018, ndërsa Anthony Davis iu bashkua ekipit një vit më vonë, sidoqoftë tetë javë më parë kjo dyshe ktheu “liqenorët” te trofeu i parë Larry O’Brien pas një dekade. Në janarin e vitit 2020 Rich Paul, që është menaxheri i famshëm që mbron interesat e dyshes LeBron James – Anthony Davis, refuzoi për 27-vjeçarin nga Chicago një kontratë 4-vjeçare me plot 146 milionë dollarë në total, me qëllimin për ta nxjerrë qendrën dhe sulmuesin e Lakers si lojtar të lirë. Menaxheri i përgjithshëm i ekipit dhe zëvendëspresidenti i franchise-t kalifornian, Rob Pelinka, nuk është mjaftuar me kaq, por është përpjekur me të gjitha forcat për ta përforcuar akoma më shumë skuadrën e “liqenorëve”.

Te Lakers sivjet janë afruar me radhë Dennis Schroder, Wesley Matthews, Montrezl Harrell, Alfonzo McKinnie dhe Marc Gasol. Lakers do ta fillojnë aventurën e tyre për mbrojtjen e titullit pikërisht në derbin e qytetit të Los Angelesit me Clippers, me takimin hapës të sezonit 2020-21 që do të zhvillohet në “Staples Center”, në datën 22 dhjetor. /SS/

(Kosova Sot Online )