Problemi i Messit nuk ka të bëjë me futbollin – thotë Pirlo

  • S.A /
  • 08 December 2020 - 10:13
Problemi i Messit nuk ka të bëjë me futbollin – thotë Pirlo

Lionel Messi nuk është në formën më të mirë këtë sezon por trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, beson se kjo nuk ka të bëjë asgjë me aspektin sportiv apo të lojës.

Pirlo mendon që e gjithë kjo është si pasojë e mos largimit të argjentinasit nga Barcelona në verë, edhe pse e kishte kërkuar largimin nga klubi.

Trajneri italian gjithashtu e vlerëson futbollistin argjentinas dhe beson se ai po kalon nëpër formë të dobët për shkaqe psikologjike.

“Messi është në një moment të veçantë në jetën e tij, por jo në karrierë, sepse ai kishte probleme ketë verë”, u deklarua Pirlo.

“Por gjatë ndeshjeve ai gjithmonë shfaqë vlerën e tij. Më shumë se sa problemet në futboll, ai ka probleme psikologjike, por nuk dua të flas më shumë sepse nuk ka të bëjë asgjë me ne.”

“Messi është një fenomen dhe i ka treguar aftësitë e tij”, përfundoi ai.

Barcelona kohët e fundit është duke u kritikuar pas formës të dobët në La Liga, të cilët edhe në ndeshjen e kaluar nuk arritën që të fitonin kundër Cadiz.

Messi do të takohet me Cristiano Ronaldon për herë të parë që prej largimit të portugezit nga Real Madrid në vitin 2018, pasi që ky i fundit mungoi në ndeshjen e parë për shkak që kishte rezultuar pozitiv në COVID-19.

(Kosova Sot Online )