Atalanta arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Liverpool barazon në Danimarkë

  • A.P /
  • 09 December 2020 - 21:04
Atalanta arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Liverpool barazon në Danimarkë

Atalanta ka arritur që ta eliminojë nga Liga e Kampionëve Ajaxin duke e mposhtur atë në minutat e fundit të ndeshjes. Në anën tjetër, Liverpool që bëri një ndeshje për statistika kundër FC Midtjylland ka barazuar me rezultat 1-1

Liverpool më parë e ka konfirmuar vetën në vendin e parë të Grupit D të Ligës së Kampionëve. Atalanta e siguroi kualifikimin tutje në ndeshjen e fundit të grupit.

Ajax-Atalanta 0-1

Ajaxi ka dështuar për t’u kualifikuar në fazën e 1/8-ës së Ligës së Kampionëve pasi që është mundur nga Atalanta me rezultat 0-1. Pjesa e parë ishte më e mirë për Ajaxin ku sulmuan disa herë golin e italianëve por edhe Atalanta u tregua e rrezikshme me anë të kundërsulmeve. Në pjesën e dytë prapë Ajax ishin më të mirë por gjërat u vështirësuan për vendasit kur në minutën e 79-të u përjashtua me të kuq Gravenberch. Pas këtij përjashtimi Luis Muriel do të shënonte gol në minutën e 85-të. Ky gol i dha kualifikimin Atalantës që e përfundojnë Grupin D në vendin e dytë me 11 pikë. Ajax pas kësaj humbje do të luajë në Europa Ligë në gjysmën tjetër të sezonit.

FC Midtjylland-Liverpool 1-1

Liverpool zhvilloi sonte në Danimarkë një ndeshje për statistika kundër skuadrës së fundit në Grup D, FC Midtjylland. Ndeshja ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. U mendua që Liverpool do ta fitonte këtë ndeshje me një rezultat të thellë pasi që Mohamed Salah shënoi që në minutën e parë të takimit. Por, pas këtij goli ndeshja ishte monotone dhe MIdtjylland pas insistimeve të shumta arriti që ta fitojë një penallti në minutën e 62-të të cilën në gol e shndërron Scholz. Liverpool shënon gol në minutën e 90-të por ai u anulua pasi që Minamino kishte shënuar gol me dorë. Liverpool e përfundon Ligën e Kampionëve si liderë në Grupin D. Midtjylland eliminohet nga garat europiane.

(Kosova Sot Online)