Handanovic e pranon: Inter s’e meritoi kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve

  • S.A /
  • 10 December 2020 - 08:54
Handanovic e pranon: Inter s’e meritoi kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve

Samir Handanovic e ka pranuar se Interi nuk është ende i gatshëm për Ligën e Kampionëve dhe nuk e meritoi të kalojë në rundin tjetër, pas barazimit 0:0 me Shakhtar Donetsk.

Interit i duhej fitorja kundër Shakhtarit të mërkurën në San Siro, për t’u kualifikuar në rundin e 16 më të mirëve, por dështoi në përpjekjet e tij për të shënuar dhe si pasojë tani është jashtë çdo gare evropiane këtë sezon.

Derisa sezonin e kaluar zikaltrit përfunduan në vendin e tretë në grup dhe shkuan në Ligën e Evropës, këtë sezon ngelën në pozitën e fundit dhe mbetën jashtë Evropës para Krishtlindjes.

“Ishte grup i baraspeshuar, mendoj se ne dështuam të kualifikohemi pas barazimit në Kiev dhe sot këtu. Kemi mundur të bënim më mirë, por nuk kemi kohë të qahemi sepse duhet të përqendrohemi në Serie A dhe në Kupën e Italisë”, tha Handanovic.

“Është e qartë se Interi ende nuk është i gatshëm për Ligën e Kampionëve. Pikët flasin qartë, ne e fituam vetëm një nga gjashtë ndeshjet në grup, kjo nuk mjafton dhe ne nuk e merituam kualifikimin”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )