Nis derbi Prishtina – Ballkani

  • A.P /
  • 13 December 2020 - 13:38
Nis derbi Prishtina – Ballkani

Ka nisur derbi mes Prishtinës dhe Ballkanit, i vlefshme për javën e 18-të në Superligë.

Prishtina është nikoqire e Ballkanit në stadiumin Fadil Vokrri.

Bardhekaltrit vijnë nga një fitore e thellë dhe e rëndësishme kundër Gjilanit në ndeshjen e kaluar dhe do t’i synojnë tri pikë të tjera kundër klubit nga Suhareka në përpjekje për t’iu afruar kreut sa më pranë.

Ai triumf, edhe pse ndaj një Gjilani në krizë, mund të jetë nxitës për skuadrën e Zekirija Ramadanit në përballje me vizitorët nga Suhareka.

Puna e Ramadanit ka filluar të japë, pasi kryeqytetasit i kanë fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit, pavarësisht se ngelin 11 pikë prapa liderit Dritës.

Ballkani, që e kishte mundur 2:1 Prishtinën në ndeshjen e parë të këtij sezoni në ligë, tregoi karakter të madh duke e mposhtur 2:0 Trepçën ’89 javën e kaluar, pas humbjes dëshpëruese që ia shkaktoi Drita, e cila i kushtoi edhe me humbjen e vendit të parë në renditje.

Skuadra e Munishit nuk guxon të lëshojë pikë sërish, në luftë të ashpër kokë me kokë me Dritën për titullin edhe këtë sezon, të cilin e humbi në ditën e fundit ndaj gjilanasve sezonin e kaluar.

Ballkani ngel vetëm një pikë prapa kampiones në fuqi, e cila ndeshjen e javës së 18-të e zhvillon kundër Arbërisë.

(Kosova Sot Online)