Kandidati për president të Barcelonës: Messin e largoj nga klubi, nëse s’pranon ulje page

  • 14 December 2020 - 09:24
Kandidati për president të Barcelonës: Messin e largoj nga klubi, nëse s’pranon ulje page

Kandidati për president të Barcelonës, Emili Rousaud, ka thënë se Lionel Messi do të detyrohet të largohet nga Camp Nou nëse nuk e pranon ujdinë me pagë të zbritur, nëse ai i merr frenat e klubit.

Marrëveshja e Messit me Barçën mbaron në verën e vitit 2021 dhe argjentinasi është i lirë nga janari të flasë me klubet e tjera për t’iu bashkuar atyre falas nga sezoni i ardhshëm.

Zgjedhjet për president të Barcelonës do të mbahen më 24 janar dhe Rousaud ka synime të mëdha nëse fiton.

“Neve do të na duhet të ulemi dhe të flasim me Messin dhe t’i kërkojmë atij ta pranojë uljen e pagës”, tha Rousaud.

“Gjërat janë siç janë tani për tani, (paga e tij) është e papërballueshme”, shtoi ai.

“Ne do t’i kërkojmë atij ta bëjë këtë flijim. Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë Messi do të largohet”, nënvizoi.

Rousaud, i cili ka qenë zëvendëspresident i Barcelonës, është i vetëdijshëm për rëndësinë e Messit në klub, edhe pse i ka kërkuar të largohet në verë

“Messi i ka shkruar faqet më të shkëlqyera të historisë së klubit. Ne duhet t’i nderojmë legjendat tona, por ky realiteti është i tillë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )