Lewandowski pritet t’i mposhtë sot Ronaldon dhe Messin për çmimin e më të mirit të FIFA-s

  • S.A /
  • 17 December 2020 - 14:30
Lewandowski pritet t’i mposhtë sot Ronaldon dhe Messin për çmimin e më të mirit të FIFA-s

Robert Lewandowski është favoriti më i madh për të fituar çmimin Lojtari Më i Mirë i FIFA-s 2020, në ceremoninë e cila do të mbahet sot pasdite në Zurich.

Lewandowski pritet t’i bashkohet listës së fituesve të këtij çmimi përkrah Cristiano Ronaldos, Lionel Messit dhe Luka Modricit.

Në këtë ceremoni do të kujtohen gjithashtu legjendat Diego Maradonan dhe Paolo Rossi, të cilët vdiqën në muajt e fundit të këtij viti.

Pasi që France Football vendosi të mos e ndajë fare Topin e Artë këtë vit, çmimi FIFA-së për Lojtarin më të Mirë po vazhdon që nga viti 2016.

Lewandowski i shënoi 55 gola sezonin e kaluar, 34 në Bundesliga, 15 në Ligën e Kampionëve dhe gjashtë në DFB-Pokal, duke i ndihmuar Bayern Munichut t’i fitojë të tri këto gara.

Cristiano i realizoi 37 gola gjatë gjithë sezonit, ndërsa Messi fitoi çmimin Pichichi për golashënuesin më të mirë të La Ligas me 25 gola. Argjentinasi shënoi gjithashtu pesë gola në Ligën e Kampionëve dhe Copa Del Rey.

‘The Best’ ka një proces votimi në dy faza. Së pari, një panel ekspertësh futbolli zgjedh dhjetë të nominuar. Pastaj një grup i dytë i gazetarëve, komentatorëve dhe trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare marrin vendimet e tyre.

Marcelo Bielsa do ta luftojë me Jurgen Klopp dhe Hansi Flick për titullin e trajnerit më të mirë për meshkuj.

(Kosova Sot Online )