Koeman mesazh Pjanicit: “Le të më tregojë në fushë se po gaboj!”

  • S.A /
  • 19 December 2020 - 08:46
Koeman mesazh Pjanicit: “Le të më tregojë në fushë se po gaboj!”

Miralem Pjanic u transferua me bujë te Barcelona gjatë kësaj vere, në një marrëveshje shkëmbimi me brazilianin Arthur, por deri tani nuk ia ka dalë të fitojë një vend titullari dhe vetëm në Ligën e Kampionëve ka minutazh të plotë.

Trajneri i katalanëve, Ronald Koeman është pyetur për këtë çështje në konferencën e sotme për shtyp dhe ka deklaruar se mesfushori boshnjak duhet të bëjë maksimumin për të fituar vendin e titullarit dhe për të treguar se tekniku po gabon që e lë në stol.

“Në mesfushë ka shumë konkurrencë dhe ndaj Sociedad aktivizuam Alenan, që është mesfushor që luan me këmbën e majtë. Varet nga momenti dhe kundërshtari që kemi përballë, por Pjanic ka pasur dhe do të ketë mundësitë e tij, të cilat duhet t’i shfrytëzojë në maksimum për të treguar se trajneri po gabon që e lë jashtë formacionit”, u shpreh trajneri holandez.

Mesfushori boshnjak ka luajtur vetëm 7 ndeshje në kampionat, por 6 prej tyre i ka nisur nga stoli dhe vetëm një nga fillimi, ndërsa në Ligën e Kampionëve i ka luajtur të gjitha si titullar.

(Kosova Sot Online )