Trajneri i Lazios thotë se Reina ia zuri me meritë vendin Strakoshës

  • G.G /
  • 21 December 2020 - 13:22
Trajneri i Lazios thotë se Reina ia zuri me meritë vendin Strakoshës

Fillimisht koronavirusi dhe më pas rikthimi me tre gola të pësuar ndaj Udineses në humbjen 1-3 në “Olimpico”, kanë vulosur humbjen e vendit të titullarit për gardianin shqiptar të Lazios, Thomas Strakosha.

Hera e fundit që 25-vjeçari luante titullar ishte pikërisht ndeshja ndaj friulianëve më 29 nëntor dhe më pas plot 6 takime radhazi i ka ndjekur nga stoli, pasi trajneri Simone Inzaghi ka vendosur t’i besojë veteranit spanjoll Pepe Reina, i cili po paraqitet vërtetë mirë.

Situata nuk është aspak e mirë për Strakoshën, pasi do t’i duhet të punojë dhe djersijë shumë për t’u rikthyer titullar, sepse vetë Inzaghi e pranoi pas fitores me Napolin, se momentalisht Reina e ka fituar me meritë vendin në formacion dhe se do të ishte padrejtësi t’ia mohonte.

“Strakosha ka bërë mjaft mirë 3-4 vjetet e fundit dhe ne besojmë te ai. Ndoshta gabova unë që e aktivizova menjëherë pas shërimit nga koronavirusi, pasi nuk ishte stërvitur mjaftueshëm. Megjithatë Reina po bën shumë mirë dhe po na jep shumë garanci në fushë. Ai e ka fituar me meritë vendin në formacion dhe do të ishte padrejtësi ta riktheja në pankinë tani që po përjeton një formë fantastike”, u shpreh Inzaghi.

(Kosova Sot Online)