Messi: Kurrë s’më ka shkuar mendja se do të thyeja rekorde, e aq më pak të Peles

  • S.A /
  • 23 December 2020 - 10:19
Messi: Kurrë s’më ka shkuar mendja se do të thyeja rekorde, e aq më pak të Peles

Lionel Messi ka thënë se kur kishte filluar të luante futboll, nuk kishte menduar se do të ishte në gjendje ta thyente ndonjë rekord, e lërë më atë të legjendës së Brazilit, Pele.

Messi e theu rekordin e Peles për më së shumti gola të shënuara për një klub të vetëm, pasi e shënoi golin e 644-të në karrierë për Barcelonën të martën kundër Real Valladolidit.

Ikona braziliane i kishte shënuar 643 gola për Santos në karrierën e tij, një shifër që deri sot dukej e paarritshme – por Messi vendosi rekord të ri duke e shënuar një gol në fitoren e Barçës kundër Valladolidit në La Liga.

Messi e zgjodhi Instagram për t’i falënderuar mbështetësit dhe të gjithë ata që i ndihmuan ta arrijnë këtë rekord madhështor.

“Kur fillova të luaj futboll, as që më kishte shkuar në mendje se do ta thyeja ndonjë rekord, e aq më tepër rekordin që e theva sot të cilin e mbante Pele”, shkroi Messi.

“I falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan gjatë këtyre viteve, bashkëlojtarët, familjen, miqtë  dhe të gjithë ata që më përkrahën çdo ditë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )