Milani me shumë mungesa kundër Lazios, Interi synon kreun

  • G.G /
  • 23 December 2020 - 13:25
Milani me shumë mungesa kundër Lazios, Interi synon kreun

Seria A italiane do të vijë sot me 8 ndeshjet e mbetura të javës së 14, që do të jetë edhe e fundit për vitin kalendarik 2020, teksa gjithçka do të startojë në orën 18:30 me sfidën Verona-Inter në “Bentegodi”.

Për të dytin sezon radhazi vendasit po tregojnë një rritje të jashtëzakonshme dhe këtë vit u ka hapur punë të gjithë skuadrave të mëdha, ndaj do të provojë të bëjë të njëjtën gjë edhe me Interin, ndonëse trajneri Juriç duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e shumta.

Nga ana tjetër zikaltrit nuk po shkëlqejnë me lojë, por ia kanë dalë të marrin plot 6 fitore radhazi dhe një tjetër sukses sot do t’i çonte plot 9 pikë para rivalit kryesor për titull, Juventusit.

Në mbrëmje vëmendja maksimale do të jetë në “San Siro” ku Milani kryesues do të presë Lazion e Simone Inzaghit me synimin për një tjetër rezultat pozitiv, që do ta mbante skuadrën në krye, ndërsa kjo sfidë do të transmetohet falas për abonentët e paketës familjare në Digitalb.

Stefano Pioli po përballet me një emergjencë dëmtimesh, pasi nuk do të ketë në dispozicion emra si Ibrahimoviç, Kjaer, Gabbia, Kessie e Bennacer, ndërsa në dyshim aktivizimi janë edhe sulmuesi kroat Ante Rebiç e mesfushori italian Sandro Tonali.

Nga ana tjetër edhe Inzaghi numëron mungesa të rëndësishme si ato të Acerbit dhe Leivës, por skuadra bindi të dielën në mbrëmje ndaj Napolit dhe trajneri bardhekaltër ka bërë thirrje për një tjetër sforco sonte ndaj Milanit.

Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndaj Interit e Lazios, entuziazmi te Napoli u rikthye ditën e djeshme me vendimin e Kolegjit të Garancive në Sport për luajtjen në fushë të ndeshjes ndaj Juves dhe rrëzimin e humbjes në tavolinë.

Sonte në mbrëmje skuadra e Gattusos do të ketë mundësi të rikthehet te fitorja, pasi do të presë Torinon në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Skuadra “granata” po kalon një moment mjaft të vështirë dhe është në krizë rezultatesh, gjë që e bën super-favorit Napolin sonte.

Në sfidat e tjera, Atalanta do të kërkojë suksesin e radhës në transfertën emiliane ndaj Bolognës, ndërsa Roma do të presë Cagliarin në “Olimpico” me synim rikthimin te fitorja, pas humbjes së thellë 4-1 në Bergamo.

(Kosova Sot Online)