Arbëria përforcohet me një sulmues brazilian

  • A.P /
  • 25 December 2020 - 17:48
Arbëria përforcohet me një sulmues brazilian

Arbëria e ka transferuar sulmuesin brazilian Marclei Cezar Santos, si përforcimin e parë në afatin kalimtar të dimrit, në luftën e saj për të mbetur në Superligë.

Marclei kaloi te klubi i Lipjanit nga Feronikeli, ku kishte luajtur në pjesën e parë të sezonit 2020/21 në elitën e futbollit kosovar.

Arbëria e mbylli gjysmën e parë të sezonit në pozitën e gjashtë me 21 pikë të mbledhura nga 18 ndeshje, vetëm dy më shumë se zona e rënies nga liga.

Synimi i skuadrës së Arbnor Morinës është ta sigurojë mbetjen në elitë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi u promovua sezonin e kaluar.

Braziliani 31-vjeçar i bëri vetëm gjashtë paraqitje për Feronikelin që prej se iu bashkua në gusht dhe ia doli t’i shënojë tri gola dhe ta dhurojë një asistim.

Arbëria nuk i ka bërë të ditura detajet e marrëveshjes me Marclei, në njoftimin për transferimin e tij.

“KF Arbëria i uron mirëseardhje në familjen tonë futbollistit brazilin Marclei Cezar – Santos Së fundi ishte pjesë KF Feronikeli, dhe u bashkua klubit tonë në afatin kalimtar të janarit! Santos vjen me një pervojë të madhe, dhe luan në poziten e qendër sulmuesit”, thuhet në njoftimin e klubit.

“KF Arbëria i dëshiron sukses dhe shendet, duke uruar ta bëjë më të miren e tijë!


(Kosova Sot Online)