Chelsea lëshoi pikë përsëri, Lampard thotë s’mund të kërkojë më shumë nga lojtarët e vet

  • S.A /
  • 29 December 2020 - 09:11
Chelsea lëshoi pikë përsëri, Lampard thotë s’mund të kërkojë më shumë nga lojtarët e vet

Frank Lampard thotë se Chelsea nuk pati aspak fat në çastet vendimtare në barazimin e së hënës me Aston Villën dhe se nuk ka mundur të kërkonte më shumë nga lojtarët e tij në këtë ndeshje.

Chelsea u detyrua të pajtohet me një barazim 1:1 në Stamford Bridge, sepse Anwar El Ghazi e shënoi golin e barazimit për vizitorët në pjesën e dytë, pasi Olivier Giroud i kishte kaluar të kaltrit në epërsi në pjesën e parë. 

Me këtë barazim, Chelsea ka lëshuar pikë për herë të katërt në pesë ndeshjet e fundit, me fitoren e vetme që ishte kundër West Hamit 3:0.

Chelsea i Lampardit humbi kundër Evertonit, Wolves dhe së fundmi kundër Arsenalit dhe pas kësaj ai i kritikoi lojtarët e vet duke thënë se nuk po bëjnë mjaftueshëm.

Por të hënën, ai thotë të ketë parë reagim pozitiv, pavarësisht se Chelsea nuk ishte në gjendje t’i fitonte tri pikë.

“Në pjesën e parë e nisëm mirë. Villa i pati çastet e veta por ne ia dolëm të ballafaqohemi mirë me to dhe e mbyllën pjesën e parë fuqishëm. E shënuam golin që e merituam”, tha Lampard.

“Në pjesën e dytë pranuam gol kur një lojtar yni ishte i shtrirë në tokë. Sa i përket qëndrimit të lojtarëve dhe përpjekjeve bëmë shumë mirë kundër një ekipi shumë të fortë.”

“Nuk mund të kërkoj më shumë prej lojtarëve sot. Askush nuk më la në baltë, të gjithë punuan fort, por nuk patëm fat”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )