Neymari i fton qindra njerëz në ahengun pesëditor për Vitin e Ri

  • S.A /
  • 29 December 2020 - 09:45
Neymari i fton qindra njerëz në ahengun pesëditor për Vitin e Ri

Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar, do ta mbajë një aheng pesëditor për Vitin e Ri me rreth 150 të ftuar në Brazil.

Përkundër pandemisë së koronavirusit, e cila u ka marrë jetën mbi 190 mijë njerëzve në Brazil, sulmuesi 28-vjeçar është duke e organizuar një aheng festimi në vilën e vet në Mangaratiba.

Sipas mediave braziliane, ahengu i yllit të PSG-së do të zgjasë pesë ditë.

Fabrica, kompania e cila do ta organizojë ahengun, i ka hedhur poshtë lajmet se 500 persona do të marrin pjesë në aheng dhe ka këmbëngulur se do t’i përmbahet masave të rrepta shëndetësore dhe të sigurisë për ta parandaluar përhapjen e Covid-19.

Në një komunikatë për media, organizatori tha: “Agencia Fabrica sqaron se është organizator i ngjarjes së Vitit të Ri në rajonin Costa Verde, në Rio de Janeiro, ku do të marrin pjesë rreth 150 persona”.

Brazili është goditur rëndë nga pandemia, sepse është shteti i dytë me më së shumti vdekje në botë pas SHBA-së.

(Kosova Sot Online )