Atletico Madridi e gjen zëvendësuesin e Diego Costas.

  • S.A /
  • 29 December 2020 - 13:30
Atletico Madridi e gjen zëvendësuesin e Diego Costas.

Atletico Madridi po mendon ta transferojë sulmuesin e Napolit Arkadiusz Milik si pasardhës të Diego Costas, i cili e ka kërkuar largimin nga klubi. Arkadiusz Milik ka qenë prej kohësh një mish i huaj në projektin e Napolit, pas dështimit për të rënë dakord për rinovimin e kontratës, e cila do të përfundojë më 30 qershor .

I joshur dhe i braktisur nga Juventusi, shumë afër Romës në fund të merkatos së verës, polaku mbeti pa dëshirë në hijen e Vezuvit dhe tani dritarja e janarit (e lëvizjes së futbollistëve) shfaqet si shansi i fundit që Napoli të përfitojë diçka nga kartoni i tij.

Siç raportohet nga “Marca”, në orët e fundit Atletico e Madridit duket se ka fituar terren në garën për të mbërritur te polaku, pas kërkesës së Diego Costas për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën për arsye personale.

Në rast ndarjeje me spanjollin, Simeone do të kishte vetëm Suarezin në rolin e qendërsulmuesit. Milik do të ishte alternativa e përsosur, por problemi më i madh është rezistenca e Napolit, që kërkon 15-18 milionë euro për kartonin e tij.

Shifër kjo që “Los Colchoneros” do të preferonin të mos e shpenzonin për një lojtar i cili gjatë verës do të jetë i lirë. Atletico mund të përfitojë nga qëndrimi e Napolit për të mos e shitur futbollistin në një ekip italian.

Milik nuk ka luajtur një ndeshje me Napolin që nga 8 gushti. Ai pret me padurim t’i jepet mundësia për të luajtur, pasi në verë synon të jetë pjesë e Europianit me Poloninë.

(Kosova Sot Online )