Haxhi Krasniqi, shqiptari i parë kampion bote

  • E.K /
  • 01 January 2021 - 13:20
 Haxhi Krasniqi, shqiptari i parë kampion bote

Boksieri junikas më në fund e realizoi ëndrrën në tentimin e tretë duke i fituar titujt IBO e WBA

Haxhi Krasniqi ia doli më në fund.

Boksieri nga Juniku është shpallur kampion i botës në boksin profesionist në tentimin e tij të tretë.

33 vjeçari u bë kampioni i parë botëror shqiptar pasi e mposhti kampionin e deritashëm, Dominic Boesel (Dominik Bëzel).

Në meçin e zhvilluar në Magdeburg, Krasniqi e nokautoi kundërshtarin qysh në rundin e tretë dhe gjyqtari vendosi ta ndërpriste meçin.

Fillimisht, Boesel përfundoi në dysheme dhe u ngrit përkohësisht.

Por, një tjetër goditje e fuqishme e Krasniqit bëri që kampioni i deridjeshëm të rrëzohej dhe të mos mund të ngritej më.

Krasniqi më pas e filloi festën e çmendur pasi e fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionet IBO e WBA.

“Kjo është dita më e madhe dhe më e bukur në jetën time. Nuk ka para në botë që më bëjnë të ndihem kaq mirë. Mund të bëj boks edhe njëmijë herë të tjera, por kurrë nuk do ta harroj këtë ditë. Do të festoj deri sa të zbardhë dita sërish. Faleminderit të gjithë atyre që besuan në mua. Këtë luftë e prita për 15 vjet ”, ka thënë Krasniqi për televizionin ARD pas meçit.

Kjo ishte hera e tretë që Krasniqi e kërkon titullin e kampionit botëror dhe më në fund ia doli.

Ai kishte dështuar në dy tentimet e para, ndaj Nathan Cleverlyt në vitin 2013 dhe kundër Jurgen Braehmer në 2015.

Kështu, Krasniqi e kurorëzon karrierën e tij 15 vjeçare me dy breza të artë.

Ai i ka 51 fitore dhe 6 humbje në karrierë.

(Kosova Sot Online)