Titulli i 34-të i Realit në La Liga

  • G.G /
  • 02 January 2021 - 10:17
Titulli i 34-të i Realit në La Liga

“Los Blancos” e kanë dominuar futbollin spanjoll duke e fituar titullin e parë që nga sezoni 2016/17

Real Madridi ka qenë Mbret i Spanjës në vitin 2020.

Skuadra e Zinedine Zidanet e ka siguruar titullin e 34-t të kampionit në histori të klubit në La Liga.

Fitorja ndaj Villarrealit me rezultat 2:1 ia siguroi edhe matematikisht titullin e më të mirit ekipit madrilen, duke e lënë prapa rivalin kryesor, Barcelona, një xhiro pa përfundur sezoni 2019/2020.

Kjo njëherësh ishte hera e parë që “Los Blancos” e fituan titullin e kampionit në Spanjë që nga sezoni 2016/2017.

Reali e fitoi betejën me Barçën pas rifillimit të La Ligas, e cila ishte ndërprerë për një kohë shkaku i pandemisë COVID-19.

Ekipi spanjoll i fitoi 10 ndeshje rresht, ndërsa Barcelona lëshoi pikë duke i bërë tri baraime dhe një humbje.

Kjo ia mundësoi trupës së Zidanet të festonte në fund, ndërsa ishte më e mirë edhe në përballjet direkte me gjigantin katalunas.

Reali e fitoi titullin edhe pse nuk mundi të llogariste shumë në përforcimet si Eden Hazard, Luka Jovic, Eder Militao, Ferland Mendy apo edhe Rodrygo.

Edhe dy yjet globale, James Rodriguez e Gareth Bale e kaluan kohën më shumë jashtë fushës sesa në të.

Reali u udhëhoq drejt suksesit nga yjet e padiskutueshme si Karim Benzema e Sergio Ramos.

Ekipi nga “Santiago Bernabeu” i pësoi vetëm 23 gola në edicionin e shkuar, statistika impresionuese këto.

Benzema, nga ana e tij, kontribuoi me 21 gola, duke përfunduar i dyti në listë prapa Lionel Messit të Barcelonës, i cili i shënoi 23.

Kurse, Ramos, një lider në mbrojtje, kontribuoi me 5 gola pas rikthimit të futbollit, përfshirë këtu edhe golat nga penalltia ndaj Getafe e Athletic Bilbaos.

Ky trofe ishte i 11-ti për Zidanen, i cili paraprakisht e kishte fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve.

Realit po i ecin punët mirë edhe në edicionin e ri dhe është në rrugë të mbarë për ta fituar trofeun e 35-të të La Ligas, duke e pasur parasysh se Barcelona ka rënie drastike të formës. 

(Kosova Sot Online)