“Ndihem i turpëruar” – Ylli i Tottenhamit kërkon falje që i shkeli rregullat e koronavirusit

  • A.P /
  • 03 January 2021 - 13:40
“Ndihem i turpëruar” – Ylli i Tottenhamit kërkon falje që i shkeli rregullat e koronavirusit

Mesfushori i Tottenhamit, Erik Lamela, ka kërkuar falje që e ka shkelur protokollin e koronavirusit duke marrë pjesë në një aheng me plot njerëzit gjatë festave të fundvitit.

Futbollisti argjentinas iu bashkua bashkëlojtarëve Sergio Reguilon dhe Giovani Lo Celsco – bashkë me Manuel Lanzinin e West Hamit – në një aheng për Krishtlindje në kundërshtim me kufizimet e COVID-19.

Lamela nuk u paraqit në skuadrën e Tottenhamit për ndeshjen e së shtunës, të cilën e fitoi 3:0 kundër Leeds United.

Ai e zgjodhi rrjetin social Twitter për të kërkuar falje.

“Dëshiroj të kërkoj falje për një vendim që e mora gjatë Krishtlindjes, për të cilin pendohem thellësisht”, shkroi Lamela.

“Jam vërtet mirënjohës ndaj secilit që po punon për të na mbajtur neve të sigurt dhe ndihem i turpëruar duke e ditur që i kam zhgënjyer njerëzit”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)