Solskjaer beson se Man Utd i tij do ta mposhtë Manchester Cityn në gjysmëfinale të kupës

  • E.K /
  • 05 January 2021 - 14:43
Solskjaer beson se Man Utd i tij do ta mposhtë Manchester Cityn në gjysmëfinale të kupës

Ole Gunnar Solskjaer thotë se Manchester Unitedi është zhvilluar dhe është pjekur mjaftueshëm për ta arritur finalen e Carabao Cup, prandaj nuk ka arsye për të dështuar kundër rivalit Manchester City në gjysmëfinalen e së mërkurës.

Për më tepër, ai beson se lojtarët e pushuar do t’i japin përparësi skuadrës së tij kundër asaj të Pep Guardiolës.

United e mundi Aston Villën të premten mbrëma në Premierligë dhe pushoi mjaftueshëm deri të mërkurën për ndeshjen me rivalin e qytetit.

City, ndërkohë, luajti të dielën pasdite kundër Chelseat në ligë, dhe rrjedhimisht pushoi goxha më pak se djajtë e kuq.

“Jemi dy ekipe që duam të shkojmë në finale, ne kemi pushuar katër ditë nga ndeshja e Villës, prandaj shpresoj se kemi këmbë më të pushuara dhe kjo është më rëndësi”, tha Solskjaer.

“Për ne do të ishte hap shumë, shumë i madh nëse e fitojmë trofeun. Ne jemi zhvilluar shumë në 12 muajt e fundit, që prej gjysmëfinales së fundit në Carabao Cup. Ne e kemi fituar edhe të drejtën për të menduar se mund t’ia dalim me paraqitjet tona, ne besojmë në formën tonë, prandaj nuk ka arsyetime”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)