Mesut Ozil në bisedime të avancuara me klubin nga MLS-ja

  • S.A /
  • 06 January 2021 - 09:29
Mesut Ozil në bisedime të avancuara me klubin nga MLS-ja

Mesut Ozil është në bisedime të avancuara me klubin nga Shtetet e Bashkuara, DC United, për t’iu bashkuar asaj në MLS në janar.

Raportohet se klubi nga MLS-ja ia ka ofruar një marrëveshje joshëse ish-përfaqësuesit të Gjermanisë, e cila përfshin edhe zgjerimin e markës së tij “M10” nëpër Shtetet e Bashkuara.

Arsenali e ka lënë Ozilin jashtë listës së futbollistëve për pjesën e parë të sezonit 2020/21 dhe ai nuk ka stërvitur bashkë me skuadrën në javët e fundit, por i veçuar.

Menaxheri i Ozilit, Erkut Sogut, ka lidhje të ngushta me shefin ekzekutiv të DC United, Sam Porter, i cili ndikoi edhe në transferimin e Wayne Rooney në këtë klub nga Evertoni në verën e vitit 2018.

Është e qartë se Ozil nuk ka të ardhmen në Arsenal dhe ai e ka zhvilluar ndeshjen e fundit për topçinjtë pothuajse para një viti.

Trajneri i Arsenalit Mikel Arteta konfirmoi ditë më parë se do të ketë largime të shumta nga Emirates gjatë këtij muaji dhe Ozil mund të jetë njëri prej tyre. 

(Kosova Sot Online )