Chelsea nuk e shet Giroudin

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 13:18
Chelsea nuk e shet Giroudin

Sulmuesi francez nuk e ka ndërmend të lëviz nga Londra, derisa interesim për shërbimet e tij ka shfaqur Juventusi

Chelsea nuk e ka ndërmend të shesë Olivier Giroudin.

Në fakt, sulmuesi francez pëlqehet nga Juventusi, por duket se e ardhmja e tij do të jetë e lidhur me klubin londinez.

Trajneri Andrea Pirlo e ka kërkuar një sulmues, i cili do ta kompletonte repartin ofanziv me Ronaldon, Dybalan e Moratan.

Edhe vetë ish-futbollisti i Arsenalit do ta pëlqente një eksperiencë tek “Zonja e Vjetër”.

Mirëpo, Giroud është i fokusuar tek Evropiani i kësaj vere dhe shkuarja në Torino për të do të përbënte rrezik, pasi mund të përfundonte eventualisht në bankinë.

E në anën tjetër, ai e ka fituar besimin e trajnerit Frank Lampard tek “Blues”, ku po luan më shpesh.

Lëndimi i Timo Wernerit ia ka mundësuar përfaqësuesit francez të ketë paraqitje më të shumta për ekipin nga “Stamford Bridge”.

Sot për sot, Giroud nuk e ka ndërmend të largohet nga Anglia.

Por, gjatë verës që vjen mund të ndodh gjithçka.

Në të kaluarën, Giroud ishte bërë objektiv edhe i klubit tjetër italian, Inter. 

(Kosova Sot Online)