Udhëtime të vështira për Realin dhe Barçën, bora shtyn sfidën Atletico Madrid-Athletic Bilbao

  • G.G /
  • 09 January 2021 - 11:56
Udhëtime të vështira për Realin dhe Barçën, bora shtyn sfidën Atletico Madrid-Athletic Bilbao

E shtuna e La Ligas është dita e skuadrave të mëdha.

Fillimisht do të zbresin në fushë Sevilla dhe Real Sociedad në një përballje të drejtpërdrejtë për zonën Champions me andaluzianët që në orën 14:00 do të përpiqen të shfrytëzojnë faktorin fushë për të marrë një trepikësh që do t’i barazonte në të njëjtën kuotë pikësh me Real Sociedadin me baskët që aktualisht kanë tre pikë më shumë se Sevilla por kanë zhvilluar edhe tre ndeshje më shumë.

Në orën 16:15 ishte në program sfida mes kryesuesve të Atletico Madrid dhe Athletic Bilbaos, ndeshje që nuk do të luhet sot për shkak të reshjeve të dendura të borës që kanë pushtuar stadiumin Wanda Metropolitano.

Në orën 18:30 do të jetë radha e Barcelonës që ka një transfertë shumë delikate ndaj Granadas në Estadio Nuevo Los Carmenes.

Granada aktualisht pozicionohet në vendin e 7-të me 24 pikë dhe po ecën me ritmet e edicionit të kaluar.

Për Messin me shokë kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë që duhet fituar nëse Barça shpreson ende titullin kampion.

Real Madridi që në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit ka regjistruar 6 fitore dhe një barazim, do të sfidojë në transfertën e Pamplonas në mbrëmje Osasunan e vendit të parafundit me një objektiv të vetëm fitoren. 

(Kosova Sot Online)