Rrufeja e rrënon kulmin e një arene sportive në Podujevë

  • S.A /
  • 12 January 2021 - 11:02
Rrufeja e rrënon kulmin e një arene sportive në Podujevë

Një arenë sportive e futbollit të vogël në Podujevë ka pësuar dëme të mëdha nga rrufeja të hënën.

Arena Sportive “Anuari” – një fushë e mbuluar e futbollit të vogël është rrënuar pothuajse e tëra nga goditja e rrufesë. Nuk raportohet për të lënduar nga kjo fatkeqësi, duke qenë se nuk ka pasur njerëz të pranishëm në arenë në çastin e incidentit. jo arenë ka njoftuar në Facebook se ka pësuar dëme të mëdha dhe nuk do të mundë të jetë në shërbim deri në rinovimin e plotë të objektit.  

“Lajmërim. Ju lajmrojë që për shkak të fatkeqsive natyrore kemi pasur dëme në stadium dhe nuk do të punojmë për një kohë sepse jemi në rinovim. Për informata të tjera do të ju lajmrojmë me kohë. Ju faleminderit për mirëkuptim”, thuhet në një njoftim të arenës “Anuari”. Arena Sportive “Anuari”

Stuhia e borës dhe shiut shkaktoi vërshime dhe dëme të mëdha në gjithë vendin në ditët e fundit.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Podujevës, Elhame Kutllovci, e vizitoi dje objektin për të parë nga afër dëmet e shkaktuara.

Kutllovci ka thënë se do ta formojë një komision për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë e përkrahjes financiar nga institucionet kompetente.

(Kosova Sot Online )