Mastersi i Dohas: Loriana Kuka kalon në çerekfinale, pas fitores kundër francezes

  • S.A /
  • 13 January 2021 - 10:06
Mastersi i Dohas: Loriana Kuka kalon në çerekfinale, pas fitores kundër francezes

Loriana Kuka ka kaluar në çerekfinale të Mastersit të Dohas, pasi e mposhti xhudisten nga Franca, Audrey Tcheumeo, të mërkurën në mëngjes.

Xhudistja kosovare Kuka vuajti shumë dhe iu desh të djersitet mirë për ta fituar luftën e rrethit të dytë në kategorinë deri në 78 kilogramë kundër xhudistes franceze.

Pas një lufte pasive në kohën e rregullt nga të dy luftëtaret, 23-vjeçarja nga Peja fitoi me ippon në kohën shtesë (Golden Score).  

Në çerekfinale, Kuka do të përballet me japonezen Shori Hamada.

Ajo do të kërkojë ta bëjë atë që e bënë bashkatdhetaret e veta Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, dhe t’i sjellë Kosovës medalje nga Katari.

Kosova i fitoi tri medalje në ditën e parë të Mastersit të Dohas.

Krasniqi e fitoi medaljen e artë, ndërsa Kelmendi dhe Gjakova i fituan të bronztat.

Dje garoi edhe Akil Gjakova, i cili megjithatë dështoi në përpjekjet e tij për të fituar medalje.

(Kosova Sot Online )