Bayern Munich e mund Freiburgun, duke e lënë prapa disfatën tronditëse ndaj Monchengladbach

  • A.P /
  • 17 January 2021 - 18:03
Bayern Munich e mund Freiburgun, duke e lënë prapa disfatën tronditëse ndaj Monchengladbach

Bayern Munich është rikthyer fuqishëm nga humbja tronditëse kundër Borussia Monchengladbach, duke e mposhtur 2:1 Freiburgun dhe duke e rritur në katër pikë epërsinë në krye të Bundesligës ndaj përcjellësit të parë RB Leipzig.

Robert Lewandowski dhe Thomas Muller shënuan për t’u siguruar që kampioni në fuqi ta shmangë dështimin e dytë radhazi dhe ta rigjejë rrugën e fitores të dielën në Allianz Arena, 

Frieburg e pësoi humbjen e parë pas pesë fitoreve radhazi dhe tani ngel gjashtë pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve.

Lewandowski i kaloi në epërsi bavarezët – të cilët vinin nga një humbje tronditëse 3:2 ndaj Monchengladbach edhe pse po fitonin me dy gola epërsi në ndeshjen e kaluar – pas vetëm shtatë minutave lojë, kur u shërbye nga Muller.

Skuadra e Hansi Flick dështoi ta rrisë epërsinë në pjesën e parë, me gjithë rastet e shumta dhe 13 tentimet në portën vizitore.

Dhe pas pak më shumë se një orë lojë, Niel Petersen i dha shpresë Freiburgut për një rikthim sensacional ndaj kampionit, kur shënoi me kokë nga një top i kthyer në zonë.

Muller u përkujdes që Bayern Munich të mos e përjetoi fatin e njëjtë si me Monchengladbach, duke shënuar nga afërsia pas një pasimi me fat të Leroy Sanes për të, një çerek lojë para fundit.

Falë kësaj fitoreje, Bayerni e rrit në katër pikë epërsinë ndaj RB Leipzig në krye të Bundesligës.

Freiburg, ndërkohë, ngel në vendin e tetë me 23 pikë, tri më pak se zona për kualifikim në Ligën e Evropës dhe gjashtë më pak se top katërshja.

(Kosova Sot Online)