Kontingjenti i Dritës niset për në Turqi, luan në Superkupë dhe përgatitet atje

  • G.G /
  • 20 January 2021 - 13:48
Kontingjenti i Dritës niset për në Turqi, luan në Superkupë dhe përgatitet atje

Kontingjenti i klubit të futbollit Drita e ka marrë sot në mëngjes rrugën drejt Turqisë, ku do t’i zhvillojë përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.

Kampioni aktual i Kosovës i ka nisur përgatitjet për pjesën pranverore të sezonit më 6 janar, ndërsa tash fazën e dytë do ta kryejë në Antalya, ku edhe do t’i kryejë përgatitjet e fundit.

Klubi Bardhekaltër ka njoftuar se ekipi është vendosur në IC Green Hotel në Lara të Antalyas ku ka udhëtuar i kompletuar dhe të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë fizike për këtë fazë.

Gjatë kësaj faze, “Intelektualët” kanë paraparë t’i zhvillojnë katër ndeshje kontrolluese, për të cilat do të ketë njoftime më të hollësishme më vonë.

Ndërkohë, gjilanasit në Turqi do ta zhvillojnë edhe ndeshjen kryesore, atë të Superkupës me Prishtinën.

Kjo është hera e parë që finalja e Superkupës së Kosovës do të luhet jashtë vendit.

Kjo ndeshje do të zhvillohet më 23 janar.

(Kosova Sot Online)