Zidane e merr përgjegjësinë për turpërimin e Real Madridit nga skuadra e kategorisë së tretë

  • S.A /
  • 21 January 2021 - 12:25
Zidane e merr përgjegjësinë për turpërimin e Real Madridit nga skuadra e kategorisë së tretë

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka marrë përgjegjësinë për humbjen tronditëse dhe turpëruese të skuadrës së tij kundër Alcoyano në Kupën e Mbretit të mërkurën.

Edhe pse Eder Militao e kaloi kampionin spanjoll në epërsi para përfundimit të pjesës së parë në duelin e 1/16 së finales, skuadra nga kategoria e tretë Alcoyano e barazoi rezultatin në minutën e 80-të përmes Jose Solbes dhe ndeshja shkoi në kohë shtesë.

Gjërat u përkeqësuan për Alcoyanon kur Ramon Lopez u përjashtua nga loja në pjesën e dytë të kohës shtesë, por Juanan doli në skenë dhe e shënoi golin e triumfit për ta eliminuar gjigantin Real Madrid.

Eliminimi nga Kupa e Mbretit vjen vetëm një javë pasi Real Madridi humbi nga Athletic Club në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës dhe pas barazimit pa gola me Osasuan në La Liga.

Dështimi i së mërkurës do ta rrisë edhe më shumë presionin ndaj Zidane, i cili i mbrojti lojtarët e vet, edhe pse nuk është i sigurt nëse ende e ka përkrahjen e tyre.

“Mendoj se po, por ju duhet t’i pyesni ata (nëse ende më përkrahin)”, tha Zidane pas ndeshjes.

“Ne kemi bërë gjëra të mira, por jo edhe aq së fundmi. Përveç në ndeshet e fundit, ne kemi bërë gjëra të mira këtë sezon”. “Unë marr përgjegjësi dhe çfarë do që duhet të ndodhë, do të ndodhë. Jam shumë i qetë, lojtarët deshën ta fitonin këtë ndeshje. Ata përpiqen dhe nganjëherë gjërat shkojnë ndryshe”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )