Monchengladbach thellon krizën e Dortmundit

  • A.P /
  • 22 January 2021 - 22:40
Monchengladbach thellon krizën e Dortmundit

Borussia Monchengladbach e ka thelluar krizën e Borussia Dortmund pasi që e ka mundur me rezultat 4-2. Golat e Haaland nuk kanë mjaftuar që Dortmund ta fitojë këtë ndeshje.

Kriza në Borussia Dortmund për rezultate ka vazhduar pasi që sonte ata janë mposhtur me rezultat 4-2 nga Borussia Monchengladbach.

Monchengladbach e filloi furishëm këtë ndeshjes pasi që shënoi që në minutën e parë, por goli u anulua nga VAR për shkak se ishte shkaktuar faul në një mbrojtës të Dortmund.

Megjithatë ata do të shënojnë në minutën e 11-të me anë të Elvedit.

Pas këtij goli, dyshja Jadon Sancho dhe Erling Haaland kaluan në epërsi Dortmundin.

Golin e parë Haaland e shënoi në minutën e 22-të dhe erdhi pas një asistimi maestral nga Jadon Sancho dhe një finalizim po ashtu interesant i norvegjezit.

Dortmund do të përmbyste për pak minuta rezultatin kur përsëri Haaland do të shënonte në minutën e 28 dhe asistues ishte prapë Sancho.

Monchengladbach do të barazonte shumë shpejt.

Elvedi do ta shënonte një gol pas kthimit të topit nga Burki nga afërsia në minutën e 32-të.

Me rezultat 2-2 do të përfundonte pjesa e parë.

Pjesa e dytë nisi shumë më mirë për Monchengladbach. Ata filluan sulmet e njëpasnjëshme në drejtim të portës së Burkit dhe arritën që pas katër minutave lojë të pjesës së dytë të shënojnë gol.

Bensebaini do të bënte një kalim të mirë në zonë dhe do të shënonte një gol të bukur me të djathtën e tij.

Pas pësimit të golit Dortmund disa herë sulmoi portën e Monchengladbach por nuk pati rezultat.

Goli i katërt erdhi në minutën e 78-të dhe ishte nga një ndërprerje ku do të shënonte Marcus Thuram.  

Ky doli të jetë goli vendimtar këtë ndeshje e ku Borussia Monchengladbach tani kalon në vendin e katër më 31 pikë, derisa Borussia Dortmund zbret nga top 4 dhe është në vendin e pestë me 29 pikë. 

(Kosova Sot Online)