U dënua për ngacmim seksual, ekstradohet nga Greqia ish-futbollisti shqiptar

  • A.P /
  • 24 January 2021 - 11:01
U dënua për ngacmim seksual, ekstradohet nga Greqia ish-futbollisti shqiptar

Ish futbollisti i Partizanit, Sokol Metaj është ekstraduar nga Greqia për të vuajtur dënimin me 5 vite për veprën e ngacmimit seksual ndaj të miturve.

Aktualisht në moshën 55-vjeçare, Metaj u akuzua se ngacmoi seksualisht një 17-vjeçar, të cilin e stërviste atëherë në ekipet e moshave, por zgjodhi të arratisej drejt Greqisë, për të shmangur vuajtjen e dënimit.

Metaj u arrestua në shtetin Helen dhe u ekstradua dje në Tiranë, ku do të vuajë dënimin me 5 vite burg, por do të përballet edhe me akuzën e shmangies së dënimit duke u arratisur.

Ja njoftimi i Interpol Tirana:
Ekstradohet nga Greqia, një shtetas i dënuar për ngacmim seksual ndaj të miturve. Në vijim të bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana, me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit është vënë në pranga në Greqi dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Sokol Metaj, 55 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi Sokol Metaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burg për veprën penale “Ngacmimi seksual” dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 15.11.2015, në afërsi të kalçetove të një kompleksi në Tiranë, në automjetin e tij, i dënuari Sokol Metaj, i cili ishte trajner futbolli, ka ngacmuar seksualisht dy shtetas të mitur, njërin prej të cilëve e kishte nxënës në kursin e tij të futbollit.

(Kosova Sot Online)