Zbulohet arsyeja pse Ozili e zgjodhi fanellën me numrin 67 në Fenerbahce

  • S.A /
  • 27 January 2021 - 15:59
Zbulohet arsyeja pse Ozili e zgjodhi fanellën me numrin 67 në Fenerbahce

Mesut Ozil është prezantuar sot si lojtar i ri i Fenerbahces, duke e zgjedhur një numër goxha të pazakontë në fanellë për një futbollist si ai; 67.

Ish-përfaqësuesi i Gjermanisë dhe fituesi i Kupës së Botës nënshkroi marrëveshje trivjeçare e gjysmë me Fenerbahcen të dielën, pasi e shkëputi marrëveshjen me Arsenalin gjashtë muaj më herët.

Ozil zgjodhi numrin 67 në fanellë për nder të vendlindjes së prindërve të vet, provincës Zonguldak në Turqinë veriore.

Gjashtëdhjetë e shtatë është numri i tabelave të regjistrimit të automjeteve në këtë provincë.

Duke folur si lojtar i ri i Fenerbahces të mërkurën, Ozil tha: “Nuk e di çfarë të them, në fakt. Jam i lumtur. Ka qenë ëndërr për Fenerbahcen dhe ka qenë ëndërr edhe për mua. Shpresoj se do të jem i dobishëm për ekipin në fushë. Unë besoj në Fenerbahcen”.

Ozil ishte pjesë e Arsenalit nga viti 2013 dhe i shënoi 44 gola në 254 paraqitje për topçinjtë, duke u ndihmuar atyre ta fitojnë tri herë trofeun e FA Cup, por nuk kishte luajtur asnjëherë që prej marsit të vitit të kaluar.

Shumë klube e kërkuan Ozilin gjatë janarit, por ai zgjodhi të kthehej në atdheun e prindërve dhe të luajë për skuadrën e zemrës. 

(Kosova Sot Online )