Ka shumë parregullësi në futbollin kosovar, FFK-ja nuk ka mbajtur Kuvend të Punës nga ai i vitit 2018

  • A.P /
  • 27 January 2021 - 17:51
Ka shumë parregullësi në futbollin kosovar, FFK-ja nuk ka mbajtur Kuvend të Punës nga ai i vitit 2018

Trajneri dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar, Besnik Shotani ka bërë me dije se ka pasur shumë lëshime në futbollin kosovar duke u bazuar në ligjet në fuqi të sportit në Republikën e Kosovës.

Sipas ish-trajnerit të Vushtrrisë, shumë federata, por edhe klube janë duke bërë shumë shkelje të ligjeve përkatëse.

Madje, ai thotë se njëra prej këtyre shkeljeve është se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka mbajtur asnjë Kuvend të Punës që nga viti 2018.

“Mendoj se ka shumë lëshime duke u bazuar në ligjin për sport në Kosovë. Ndoshta edhe problemet me pandeminë COVID-19 kanë ndikuar, por do ta shohim se cilat federata po dalin me zbatim të ligjit”, ka thënë Bekim Shotani për Zerin.

“Kjo vlen edhe për klubet, edhe në klube kemi shumë parregullësi”.

Tutje, ai e përmend edhe neglizhimin e FFK-së për Kuvend të Punës si dhe mos-ftesat ndaj klubeve për Kuvend Zgjedhor.

“Një rast konkret është Federata e Futbollit të Kosovës, e cila nuk ka mbajtur asnjë Kuvend të Punës nga ai i vitit 2018 dhe nuk ka ftuar klubet për asnjë Kuvend Zgjedhor”, përfundoi të mërkurën Bekim Shotani.

(Kosova Sot Online)