Gjimshiti zbulon sekretin pasi e eliminoi Lazion e Muriqit: Fshehtësia e Atalantës është të shënojë kur s’e pret kundërshtari

  • S.A /
  • 28 January 2021 - 10:01
Gjimshiti zbulon sekretin pasi e eliminoi Lazion e Muriqit: Fshehtësia e Atalantës është të shënojë kur s’e pret kundërshtari

Mbrojtësi shqiptar i Atalantës, Berat Gjimshiti, ka thënë se fshehtësia e skuadrës së tij është t’i shënojë gol kundërshtarin në çastin kur ai e pret më së paku, pas fitores dramatike kundër Lazios së Vedat Muriqit në Kupën e Italisë, anipse me një lojtar më pak në fushë.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Shqipërisë e shënoi golin e parë për Atalantën, për t’i ndihmuar skuadrës së Gian Piero Gasperinit ta mposhtë 3:2 Lazion të mërkurën, dhe të kalojë në gjysmëfinale të kupës.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Muriqi e kishte barazuar rezultatin në 1:1 dhjetë minuta më vonë, duke e regjistruar golin e parë në fanellën e Lazios pas shumë përpjekjeve.

Më pas Francesco Acerbi e kaloi Lazion në epërsi për herë të parë, para se Ruslan Malinovskiy ta barazonte rezultatin tre minuta më vonë.

Atalanta luajti me 10 lojtarë për pjesën më të madhe të pjesës së dytë, pas përjashtimit me karton të kuq të Palominos në minutën e 53-të, por kjo nuk e parandaloi Aleksei Miranchukun ta shënojë golin e triumfit për vendasit në minutën e 57-të.

Pas ndeshjes, Gjimshiti tha: “Ishte një ndeshje e veçantë dhe shijuam një futboll sulmues. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ishte një përballje shumë e bukur për t’u parë, por pati edhe goxha gabime.  Më pas doli në pah karakteri i Atalantës.”

“Nëse kthejmë kokën pas, mund të them që këtë lloj takimi nuk do e kishim fituar dot dy vjet më parë. Vuajtëm shumë, por ia dolëm të fitojmë dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale”, shtoi ai.

“Shumë gola nga mbrojtësit tek Atalanta? Detyra jonë kryesore është të mbrojmë. Më pas mendojmë për sulmin, trajneri na kërkon gjithmonë të dërgojmë topin në rrjetë në momentin që kundërshtari nuk e pret. Ky është sekreti ynë“, deklaroi 27-vjeçari nga Presheva.

(Kosova Sot Online )