Palmeiras-Santos, një finale e gjitha braziliane në Maracana

  • 30 January 2021 - 11:30
Palmeiras-Santos, një finale e gjitha braziliane në Maracana

Për të dytin edicion radhazi finalja e Kupës Libertadores do të zhvillohet me një takim dhe privilegjin për të pritur ndeshjen përcaktuese të sezonit të 61 të kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh të Konfederatës CONMEBOL do ta ketë stadiumi i famshëm Maracana.

Dy klubet finalistë janë sistemuar tashmë në Rio de Janeiro dhe bëhet fjalë për dy skuadra braziliane si Palmeiras dhe Santos. Ky është rasti i katërt në historinë e këtij aktiviteti kur dy klube nga i njëjti vend ia dalin mbanë për t’u kualifikuar për në takimin final të Kupës Libertadores.

Në vitet 2005 e 2006 janë regjistruar dy finale rresht gjithëbraziliane, respektivisht Sao Paolo–Atletico Paranaense dhe Internacional–Sao Paolo, por gjithsesi bëhet fjalë për përballje me sistem vajtje ardhje, ndërsa në vitin 2018 u përplasën dy klubet e famshme të Argjentinës River Plate dhe Boca Juniors, të cilët e ndanë “Superclasico”-n me dy ndeshje në Bombonera dhe Santiago Bernabeu.

Në 13 edicionet e fundit kanë shënuar emrin te Kupa Libertadores plot 12 klube të ndryshme dhe i vetmi ekip që ka triumfuar dy herë që nga viti 2007 është River Plate, sidoqoftë gjërat kanë ndryshuar dhe tani është koha e skuadrave braziliane.

Kështu me gjithë Gremion e Porto Alegres dhe Flamengon e Rio De Zhaneiros ky do të jetë trofeu i treë në katër edicionet e fundit për klubet e këtij vendi dhe në këtë mënyrë Brazili do të koleksionojë për herë të 20 kupën më të lakmuar në këtë pjesë të Amerikës Latine, ndërsa Argjentina mbetet në vendnumëro me 25 kupa gjithsej. Një kompeticion tepër i vecantë ku marrin pjesë vetëm 10 shtete gjithsej, për shkak të pozitës gjeografike, sidoqoftë Brazili ishte edhe vendi më i privilegjuar, duke patur parasysh që në start e nisën aventurën plot 8 klube nga ky shtet. Në gjysmëfinalen Santos – Boca Juniors nuk pati shumë histori dhe pas barazimit me rrjeta të paprekura në Buenos Aires bardhezinjtë mbyllën llogaritë shpejt pas vetëm 51’ lojë në stadiumin e tyre Vila Belmiro. Krejt ndryshe rrodhën ngjarjet në përballjen River Plate – Palmeiras. “Verdao” i shkatërroi 6 herë kampionët e Kupës Libertadores dhe fituesit e vitit 2018 me një fitore të pastër 3-0 brenda në Avellaneda, megjithatë në sfidën e kthimit në Palestra Italia Arena, apo Allianz Parque sic quhet ndryshe shtëpia e Palmeiras-it “los millonarios” i shkuan vërtet shumë pranë përmbysjes së madhe, pasi skuadra e drejtuar nga Marcelo Gallardo shkoi në interval me fitoren 2-0.

Pavarësisht disavantazhit të madh të ndeshjes së parë në Qytetin e Sao Paolos Riveri dominoi gjithë takimin e kthimit dhe sikur të mos mjaftonin padrejtësitë e shumta nga ana e gjyqtarëve vendasit patën edhe doza të theksuara fati, kështuqë në finale me rezultatin e përgjithshëm 3-2 u kualifikua pikërisht skuadra që drejtohet nga portugezi Abel Ferreira, që në Kontinentin e Vjetër ka drejtuar moshat e Sportingut të Lisbonës, si dhe ekipet e Sporting Bragës dhe PAOK-ut të Selanikut. Finalja e madhe ishte programuar fillimisht në kalendar më datën 21 nëntor, megjithatë në shtyrjen e ndeshjeve influencoi ndjeshëm pikërisht pandemia e koronavirusit. Klubi që do të fitojë takimin në Rio de Janeiro do kualifikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për në fazën e grupeve të edicionit të ardhshëm të Kupës Libertadores, por ekipi fitues gjithashtu do të udhëtojë pa humbur kohë drejt Lindjes së Mesme, më saktë në Katar, ku më datën 7 shkurt do të sfidojë në fazën gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube skuadrën që do të dalë nga cifti Tigres–Ulsan.

Të dy ekipet në mënyrë të kuptueshme njihen vërtet shumë mirë, por mbi të gjitha bëhet fjalë për një derbi të egër të Shtetit të Sao Paulo-s. Për shkak të lodhjes, impenjimit në Kupën Libertadores dhe kalendarit tepër të ngjeshur të kampionatit të dyja skuadrat kanë humbur ndjeshëm terren në Serinë A Braziliane. Palmeirasi luan me një stil më evropian dhe ka një skuadër tepër të talentuar, me një moshë mesatare shumë të re, ndërsa në krahun tjetër ekipi i Cuca-s shquhet për lojën fizike dhe tipike braziliane. Jeshilët kanë fituar vetëm 1 nga 6 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, ndërsa Santosi do të paraqitet në finale pas tre humbjeve radhazi në kampionat. Për pasojë në Serinë A Braziliane kur kanë mbetur vetëm 6 javë për t’u luajtur Palmeirasi pozicionohet në vendin e pestë, 10 pikë larg Internacionalit kryesues, ndërsa Santosi renditet në vendin e dhjetë, me plot 7 pikë më pak se “verdao”. Si jeshilët ashtu edhe bardhezinjtë i fituan grupet e tyre respektivisht me nga 5 fitore e vetëm 1 barazim.

Disfatën e vetme në këtë edicion të Kupës Libertadores ekipi alvinegro e ka pësuar në Vila Belmiro, në fazën e 1/8 me rezultatin 1-0 nga klubi ekuadorian Liga Deportiva Universitaria të Quito-s, ndërkohë në krahun tjetër disfata 2-0 në gjysmëfinalen e kthimit me Riverin përfaqëson edhe humbjen e vetme të Palmeiras-it në këtë edicion. Ekipi i Palmeiras-it konsiderohet si favorit në këtë takim, për më tepër formacioni i Abel Ferreira-s është kualifikuar gjitahshtu edhe për në finalen e Kupës së Brazilit, ku “Palestra” do të masë forcat në dy ndeshje me sistem vajtje ardhje me Gremion e Porto Alegres. Te Santosi ka rënë sy sulmuesi i ri i moshave të Brazilit, 19-vjecari Kaio Jorge me 5 gola, ndërsa te Palmeirasi po me 5 gola krenohet edhe dyshja Rony–Luiz Adriano. Bardhezinjtë të cilët kanë triumfuar për herë të fundit në vitin 2011, pikërisht në kohën kur në radhët e tyre luante Neymar, kanë fituar 3 nga 4 finalet në këtë kompeticion, ndërsa jeshilët i kanë në invers këto statistika, pasi Palmeirasi ka fituar vetëm 1 nga 4 finalet e zhvilluara në këtë aktivitet dhe suksesin e vetëm verdao e ka siguruar në vitin 1999, kur luanin Junior, Alex apo dhe Roque Junior.

Në sfidat e fundit mes tyre dominojnë barazimet, 2 në 3 takimet e fundit. Në kampionat në edicionin e fundit Palmeirasi barazoi jashtë 2-2, dy muaj më parë, pasi kishte fituar 2-1 në shtëpi duelin e fazës së parë. Jeshilët kanë humbur vetëm 1 nga 8 përballjet e fundit ndërmjet tyre, megjithëse për hir të së vërtetës gjysma e këtyre ndeshjeve ka përfunduar në barazim. Finalja e madhe pra do të luhet në Stadiumin Maracana të Rios në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga 45-vjecari argjentinas Patricio Loustau, e nëse fitohet nga Santosi atëherë bardhezinjtë do të krenoheshin edhe si klubi më i suksesshëm i futbollit brazilian në Kupën Libertadores me 4 trofe.

(Kosova Sot Online )