Arrihet marrëveshja, Inzaghi vazhdon me Lazion

  • G.G /
  • 02 February 2021 - 16:19
Arrihet marrëveshja, Inzaghi vazhdon me Lazion

Pesë fitore radhazi në kampionat kanë rikthyer qetësinë te Lazio, që tani është plotësisht në garë për një vend në zonën Champions të renditjes, ndërsa trajneri Inzaghi duket se do të shpërblehet me rinovimin e kontratës.

Zyrtarisht bisedimet kanë nisur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dhe pas shumë negociatash, palët kanë gjetur akordin, ndërsa mediat pranë klubit kryeqytetas janë të bindura që firma mbi kontratën e re do të vijë brenda kësaj jave.

Bëhet fjalë për një kontratë të vlefshme deri në verën e 2023-shit, nga e cila paga e Inzaghit do të përmirësohet nga 2 në 2.4 milionë euro, ndërsa tekniku do të përfitojë edhe një bonus sezonal prej rreth 500 mijë eurosh.

Me firmën mbi kontratë, Inzaghi do të shndërrohej në trajnerin më jetëgjatë të Lazios në epokën e Lotitos, një rekord mjaft interesant ky për teknikun, që përveç kampionatit, po mendon edhe për përballjen me Bayernin e Mynihut në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Simone Inzaghi mori drejtimin e Lazios më 16 prill të 2016-ës, pas shkarkimit të Stefano Piolit dhe që atëherë ka udhëhequr bardhekaltrit drejt shumë sukseseve, si pjesëmarrja në grupet e Champions-it apo triumfi në Kupën e Italisë e Superkupë.

(Kosova Sot Online)