Gattuso pritet të largohet nga Napoli në verë

  • A.P /
  • 02 February 2021 - 17:29
Gattuso pritet të largohet nga Napoli në verë

Shpërthimi i Gennaro Gattusos në përfundim të ndeshjes së të dielës ndaj Parmës ka qenë një sinjal i qartë që tekniku është në muajt e fundit të eksperiencës së tij me Napolin dhe pritet të largohet menjëherë pas fundit të sezonit.

Ish-trajnerit të Milanit i skadon kontrata në qershor të këtij viti dhe deri tani De Laurentiis ia ka shtyrë vazhdimisht rinovimin, por së fundmi edhe Gattuso e ka kuptuar se presidenti po planifikon diçka tjetër për sezonin e ardhshëm.

Deri tani oferta e rinovimit nuk ka shkuar në tavolinën e Gattusos dhe as nuk duket se do të shkojë ndonjëherë, pasi De Laurentiis po shqyrton disa alternativa të tjera për pankinën e Napolit.

 

Dy prej tyre janë ish-trajnerë që kanë bërë mirë në pankinën e klubit jugor, spanjolli Rafael Benitez dhe italiani Maurizio Sarri, të dy të papunë momentalisht dhe që do të mirëprisnin një rikthim në Napoli.

Nuk mungojnë as emrat e rinj si kroati Ivan Juriç dhe italiani Roberto De Zerbi, të cilët po bëjnë mjaft mirë me skuadrat përkatëse në Serinë A, Veronën e Sassuolon.

Juriç ushtron një futboll të ngjashëm me atë të Gasperinit te Atalanta, por edhe De Zerbi i ka lënë mbresa presidentit napolitan, për lojën që bën Sassuolo e tij prej disa sezonesh.

(Kosova Sot Online)