Chiellini tregon si i refuzoi Arsenalin dhe Interin, derisa e quan Ibrahimovicin “armiku më i mirë”

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 14:28
Chiellini tregon si i refuzoi Arsenalin dhe Interin, derisa e quan Ibrahimovicin “armiku më i mirë”

Giorgio Chiellini po përjeton një lloj rinie të dytë tek Juventusi. Gjithmonë i vendosur me ndërhyrjet e tij, për të mbuluar problemet e repartit të pasmë, sidomos pas mungesës së De Ligt, i saposhëruar nga Koronavirusi.

Kapiteni i Juventusit dha një intervistë për të përmuajshmen franceze “So Foot”, që e nis me një batutë përulësie edhe ndaj ish-shokut të repartit, Andrea Barzagli.

“Për të fituar duelet me sulmuesit, duhet të parashikoni më të keqen. Ky është çmimi i rezervuar për lojtarët “normalë” si unë opo Barzagli. Vëmendje, Andrea ishte një mbrojtës shumë i mirë, por ne nuk kemi lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme si Sergio Ramos apo Virgil van Dijk”.

Chiellini më pas zbulon se i ka thënë “jo” Arsenalit kur ishte adoleshent.

“U tregova budalla që e refuzova atë ofertë. Isha 16 vjeç, luaja në Serinë C, kam marrë një ofertë të madhe për thuajse 200 milionë lireta në sezon. Nuk isha gati. Po ta pranojë, do të ndihesha sikur po e tradhtoja Livornon”.

36-vjeçari ka edhe më për të treguar, kur bëhet fjalë për refuzimin e një ofertë të rëndësishme, gjithmonë në moshë të re.

“Një vit ata më thirrën më 31 janar, në orën 6 pasdite për të më thënë: “Duhet të firmosësh për Interin”. Unë refuzova. Isha në vit të katër në lice, nuk doja të shkoja askund.”

Vlerësim dhe respekt për Zlatan Ibrahimovicin, por asnjëherë frikë përballë “armikut më të mirë” në karrierë.

“E respektoj shumë Zlatanin, ne e respektojmë njëri-tjetrin. Ne ishim shokë, në sezonin tim të parë tek Juvja. Asnjëherë nuk kisha frikë të përballesha me të, kurrë nuk bëra një hap pas në përballjen më të. Ai kishte një forcë të jashtëzakonshme fizike. U bë “armiku absolut”, kur ai u transferua tek Interi, më pas një “kundërshtar” i thjeshtë kur veshi fanellën e Milanin apo me ekipin kombëtar. “Armiku më i mirë” në karrierën time është pa dyshim Ibrahimovic”. 

(Kosova Sot Online)