“Teatri i ëndrrave” shndërrohet në makth për Man Utd, Evertoni barazon në “frymën e fundit”

  • A.P /
  • 06 February 2021 - 23:02
“Teatri i ëndrrave” shndërrohet në makth për Man Utd, Evertoni barazon në “frymën e fundit”

Manchester United dhe Everton kanë barazuar në ndeshjen e javës së 23-të në Premierligë. “Djajtë e Kuq” barazuan 3:3 ndaj ekipit të Ancelottit.

Serinë e golave e nisi Edinson Cavani në minutën e 24-të duke shënuar gol të bukur me kokë pas harkimit të saktë të Marcus Rashford.

Në fund të pjesës së parë Bruno Fernandes dhuroi “magji” duke e dyfishuar epërsinë me një gol të veçantë.

Me të filluar pjesa e dytë, Evertoni tregoi një fytyrë krejtësisht tjetër. Doucoure ngushtoi fillimisht epërsinë në minutën e 49-të, kurse James Rodriguez barazoi shifrat tre minuta më vonë.

Në minutën e 70-të, McTominay shënoi golin e tretë për vendasit. Kur të gjithë menduan se tri pikët do të qëndronin në “Old Trafford”, ashtu nuk mendoi Calvert-Lewin i cili shënoi golin e barazimit në sekondat e fundit të ndeshjes.

Me këtë barazim, Manchester United shkon në kuotën e 45 pikëve në vendin e dytë, dy më pak se City, i cili ka edhe dy ndeshje më pak të luajtura. 

(Kosova Sot Online)