Muriqi, tani ka filluar ta tregojë vetën

  • A.P /
  • 11 February 2021 - 19:04
Muriqi, tani ka filluar ta tregojë vetën

Vedat Muriqi u transferua në verën e kaluar nga Fenerbahçe në Lazio për një shumë rreth 17.5 milionë euro.

Ky transfer kishte bërë bujë të madhe për një kohë në mediat italiane derisa Igli Tare kishte thënë se e ka monitoruar kosovarin për një kohë të gjatë.

Para transferimit në Lazio, Muriqi kishte shënuar 19 gola në Fenerbahçe.

Por, ai ishte lënduar në fund të sezonit të kaluar derisa në kohën kur ishte transferuar në Lazio ai ishte infektuar edhe me koronavirus.

Kjo kishte bërë që ai të mungojë pothuajse në shumicën e ndeshjeve të pjesës së parë të sezonit në Serie A dhe gara të tjera.

Megjithatë, sipas “thelaziali.com”, tani ish sulmuesi i Lirisë së Prizrenit është duke e treguar vetën.

Laziali shkruan se Muriqi ishte njëri prej më të mirëve në derbin e Romës, luajti shumë mirë kundër Parmës në Kupën e Italisë ku bëri një asistim.

Edhe paraqitja e tij ndaj Sassuolos në Serie A ishte tepër e mirë, kurse ai shënoi dy gola kundër Atalantas, një në kupë dhe një tjetër në Serie A.

Laziali shkruan se Muriqit po i kthehet vetëbesimi dhe tashmë priten edhe më shumë gjëra nga ai.

(Kosova Sot Online)